PD: Buxheti po shpërndahet tek klientët e familjes së Ramës
Partia Demokratike akuzoi sërish sot kryeministrin Rama se po shpërndan tendera me para publike në persona të afërt me të.
Për demokratët i tillë është rasti i kompanisë së biznesmenit Agron Papuli që ka përfituar 127 tendera me vlerë 17.3 milionë Euro.
“Sot, po bazuar në dokumente zyrtare, po denoncojmë faktin se si Edi Rama vijon të favorizojë një ndër binzesmenët e afërt të tij, duke i dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit, me gjithë denoncimet e shpeshta publike.
Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e rradhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milion euro”.
1.8 milionë eurot e përfituara në korrik të këtij viti janë kësti i fundit i një politike arrogante të kryeministrit, i cili buxhetin e shtetit e shpërndan ekskluzivisht për familjen e tij, baxhanakun, miqtë e deputetëve të partisë si dhe për oligarkët që pastrojnë paratë dhe paguajnë tarifën tek kryeministri.
Por zullumi i kësaj qeverie s’ndalet së trashuri, prandaj klika e baxhanakëve, e miqve të gruas dhe e grave të miqve s’mund të mbijetojë gjatë.
Shqiptarët nuk do të lejojnë që Edi Ramës t’i jepet shansi ta privatizojë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm.
Tv Klan