PD apel Parlamentit Europian: Shpëtojeni Teatrin Kombëtar!


PD apel Parlamentit Europian: Shpëtojeni Teatrin Kombëtar!

11:04 27/06/2018

Partia Demokratike me anë të deputetes Albana Vokshi ka bërë pjesë të diskutimit në Parlamentin Europian çështjes e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri në partneritet me Privatin.

Zyra për shtyp e selisë blu tha në një njoftim për media se në cilësinë e kryetares së Komisionit të Kulturës, Vokshi apeloi për ruajtjen e Teatrit Kombëtar.

Arsyeja kryesore pse kërkova fjalën është kjo godinë i përket qendrës së qytetit, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm Italian Xhulio Berte, e cila qenë për 80 vite Teatri Kombëtar. Aktualisht jemi në javën e tretë të një proteste të përditshme nga artistët para Teatrit sepse qeveria ka vendosur ta shembë. Ne duam të mbrojmë këtë ndërtesë sepse qeveria vendosi ta prishë që t’i japë tokën privatit për të ndërtuar kulla të larta. Kam një apel për ju për të shpëtuar këtë ndërtesë por edhe t’i kushtoni më shumë vëmendje vendeve si Shqipëria, për të pasur projekte për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, për të lidhur të shkuarën me të ardhmen

”, tha Vokshi.

Deputetja shqiptare tha para autoriteteve të larta europiane se trashëgimia kulturore shqiptare është duke u rrënuar.

Ndërsa flasim, kati i parë i Bibliotekës Kombëtare është nën ujë pas stuhisë dhe mund të jenë mijëra libra që mund t’i humbasim. Me vete kam edhe disa foto, ura e Hoshtovës dhe Orgockës. Këtu kam edhe një manastir më se 300 vjeçar në jug të vendit që janë zhdukur për shkak të mungesës së vëmendjes nga autoritetet

”, tha Vokshi.

Parlamenti Europian në Bruksel diskutoi mbi trashëgiminë kulturore në Europë me praninë e autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian si kreu i Parlamentit Antonio Tajani dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. /tvklan.al






Të ngjashme