PD: Deklaratat e policisë, sajesë e neveritshme


PD: Deklaratat e policisë, sajesë e neveritshme

13:48 08/06/2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një dalje për mediat dënoi deklaratat e Policisë së Shtetit, e cila më herët tha se disponon informacione shqetësuese për protestën e thirrur pasditen e kësaj të shtune nga opozita. Bardhi tha se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllimi apo i mjeti Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Policisë si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria ilegjitime që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Policisë së kapur nga krimi janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Partia Demokratike ka thirrur sot në protestë të gjithë qytetarët kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa“.

Bardhi tha më tej se skenarët për të penguar protestën nuk do të funksionojnë.

“Ripërsërisim sot apelin tonë drejtuar qytetarëve, që pavarësisht provokimit kriminal të drejtuesve të Policisë së Shtetit, që do të kenë fatin e njëjtë me atë të Edi Ramës, duhet të mbrojnë punonjësit e thjeshtë të policisë, të cilët kanë të njëjtat halle dhe probleme me secilin prej qytetarëve që dalin në protestë. Skenarët kriminalë të Edi Ramës, pengimi i të drejtës për të protestuar, dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur. Beteja jonë është për standartet dhe vlerat Europiane, prandaj ka bashkuar shumicën dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm. Regjimi në grahamat e fundit është i tmerruar. Bashkimi i sotëm do të jetë madhështor. Fundi i modelit të Qeverisë së Avdylajve, është më i afërt se kurrë”./tvklan.al






Të ngjashme