PD: Denoncimi në “Stop”, dëshmi e blerjes së votës


PD: Denoncimi në “Stop”, dëshmi e blerjes së votës

12:05 14/09/2016

Partia Demokratike reagoi pas publikimit në emisionin investigativ “Stop”, të një kamere të fshehtë, në të cilën shihet se si një person në Dibër kërkon votën e një qytetari kundrejt 2 mijë lekëve të reja.

Deputetja Jorida Tabaku tha se denoncimi i bërë nga emisionin “Stop” është dëshmi e funksionimit të një skeme të mirëorganizuar të blerjes së votës në zgjedhjet për bashkinë e Dibrës.

Jorida Tabaku:

Prova të reja, të publikuara mbrëmë në emisionin Stop, dëshmojnë edhe një herë se si rrjeti i organizuar i blerjes së votës, ishte instaluar në çdo qendër votimi në Dibër. Edi Rama e ktheu Dibrën në një treg të zi, kriminal të blerjes së votës, duke hapur zyra e sportele të këmbimit të vullnetit të lirë me para e me euro.

Deputetja Tabaku tha se në Dibër nuk pati zgjedhje pasi ato u kapën nga karteli i drogës. Por rezultati në këtë bashki do të jetë pjesë e një analize nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

Jorida Tabaku:

Në Dibër nuk pati zgjedhje. Dibra u kthye në një thertore të madhe të mbytjes së votës së lirë.Unë jam e sigurt që PD do të shohë edhe nga vetja e do të bëjë analizë të plotë, por Edi Rama tregoi edhe një herë se ai është armiku i votës së lirë.

Partia demokratike përmes deputetes Tabaku i bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen kundër kryeministrit Rama, të cilin opozita e akuzon se përmes pushtet dhe lidhjeve me krimin deformoi rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Dibrës./ TV KLAN






Të ngjashme