PD: Drejtues të lartë të policisë të lidhur me narkotrafikun. Tahiri: Nëse ke prova, çoji në prokurori!


PD: Drejtues të lartë të policisë të lidhur me narkotrafikun. Tahiri: Nëse ke prova, çoji në prokurori!

19:00 06/05/2016

Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi nga studio e emisionit “Opinion”  80 drejtues të lartë dhe efektivë të policisë së shtetit për lidhje me narkotrafikun, këtë qëndrim e ka përsëritur edhe deputeti Flamur Noka.

Flamur Noka, Deputet i PD

:

 “Fakti më i freskët se, me 24 Prill, dhjetra kamionë të ngarkuar me pleh organik për drogën e habilajve, jo vetëm nuk u ndaluan nga policia por me urdhër nga lart, u shoqëruan deri në destinacion, tregon se kanabisi jo vetëm ka pushtuar vendin por që rrënjët i ka në zyrën e Tahirit dhe Ramës. Nuk ka asnjë dyshim se ky biznes kriminal drejtohet nga Edi Rama dhe Tahiri.  E vërteta është se pakti i trafikantëve me Tahirin është ky; bandat qeveritare japin 30 përqind të parave, në këmbim të garancisë për të mbjellur, korrur e transportuar drogën.”

Por Ministri i Brendshëm i pyetur për akzuat e ngritura në adresë të tij dhe të drejtuesve të policisë së shtetit, e sfidoi kreun e Partisë Demokratike t’i drejtohet organit të akuzës.

Saimir Tahiri, Ministër i Brenshëm:

“Më kanë bërë të ditur që kjo është deklaruar dje nga kryetari i Partisë Demokratike në një emision. Gjithsesi, unë e ftoj të bëhet politikan serioz. T’i lërë fjalët e kota, ta bëjë publike, ta çojë në Prokurori. Ka disponibilitetin tonë të plotë për çdo hetim në raport me akuzat që thotë se ka. Përndryshe, me llafe pazari për të mbushur studiot televizive, unë nuk kam kohë të merrem.”

Tv Klan

Deklarata e plotë e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Zoti Tahiri, cila ka qenë fokusi i këtij takimi?

“Jemi në një faze tjetër të ndryshimeve ligjore që do të mundësonin hetime më efektive dhe mbi të gjitha rezultate në kohë. Edhe në kuadër të rekomandimeve të Bashkimi Europian, edhe në kuadër të analizave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit nga njëra anë, Prokurorisë nga ana tjetër dhe të gjitha agjencive ligjzbatuese në tërësi, kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese, të bëjnë hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë. Sot patëm një konsultë me operatorët telefonikë, sa i takon disa ndryshimeve në Ligjin për Komunikimet Elektronike, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtpërdrejtë të prokurorisë, të policisë dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtar për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike. Gjithashtu, përtej kësaj do të vazhdojmë edhe me konsulta të tjera, për disa ndryshime që ne i shohim si të domosdoshme në Kodin Penal, pastaj për t’iu propozuar edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, si Prokurorisë, Shërbimit Informativ pse jo dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për të ndryshuar, në masën që duhet, legjislacionin penal, për të bërë ç’është e mundur që hetimet pro aktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në veçanti dhe terrorizmit, të zhvillohen në kohë dhe me rezultate të qëndrueshme dhe pa pengesa burrokratike, të cilitdo lloji”.

Po ndërhyhet në kompetencat e Prokurorisë? Keni patur konsultime për këtë projektligj?

“Jo, ky projektligj nuk ka lidhje me kompetencat e asnjë institucioni. Ndryshimet që po konusltojmë kanë lidhje me marrëdhënien që kanë agjenci ligjzbatuese me operatorë kryesisht privatë, por edhe publikë, në fushën e hetimeve penale. Pra nuk jemi në fazën dhe kjo nuk është detyra apo në kompetenca jonë, që të propozojmë ndryshime në pikëpamjen e ndryshimit të kompetencave të institucioneve”.

Zoti Tahiri, opozita pretendon se disponon një listë me 80 efektivë të inkriminuar. A jeni ju në dijeni?

“Më informuan për këtë, që është deklaruar dje nga Kryetari i Partisë Demokratike në një emision. Unë e ftoj të bëhet politikan serioz, t’i lerë llogjet, ta bëjë publike, ta çojë në prokurori. Ka disponibilitetin tonë të plotë për çdo hetim në raport me akuzat që thotë se ka. Përndryshe pastaj, llogje pazari për të mbushur studiot televizive, unë nuk kam kohë të merrem”. /tvklan.al






Të ngjashme