PD e vendosur të zhvillojë mitingun dhe pse policia nuk e lejon (2 Nëntor 2000)
PD ka deklaruar se do të zhvillojë sot në orën 12:00 në Tiranë një miting në vazhdën e protestave të saj që e quan vjedhje e votës së lirë të 1 tetorit. Megjithëse policia nuk ka dhënë leje, kryetari i demokratëve në Tiranë Vili Minarolli ka deklaruar se mitingu do të bëhet. Udhëheqësit e kësaj partie madje kanë deklaruar se e shtynë mitingun nga pasdita në mesditë për të vazhduar protestat nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kohë ndaj së cilës administrata shtetërore ndodhet në punë.
Në mitingun e javës së kaluar megjithëse u dha leje, PD e shkeli atë pasi e zhvendosi protestën para godinës së Kryeministrisë ku përkrahësit dhe simpatizantët e saj me në krye Berishën, qëndruan për afro një orë duke hedhur parrulla dhe në ndonjë rast dhe duke qëlluar me gurë dhe ofenduar forcat e policisë. Policia tha se nuk kemi dhënë leje për mitingun e paralajmëruar për ditën e sotme sipas të dhënave se elementë të inkriminuar mund të krijonë incidente dhe veprime të dhunshme. Policia ka shtuar sot masat e ruajtjes dhe sigurisë nëpër hyrje-daljet e qytetit dhe në rrugët e saj kryesore./tvklan.al