PD: “Eskobari i drogës” është Klemend Balili nga Saranda
Partia Demokratike publikoi fakte, që sipas saj, provojnë se zyrtari i lartë shqiptar, të cilit i referohen mediat greke se është i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar të drogës, është Klemend Balili, Drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.
Opozita thotë se pas “Eskobarit të Ballkanit” fshihen lidhjet e tij me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të policisë.
Arben Ristani – Sekretar i Përgjithshëm i PD -së:
“Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klemend Balili, rezultojnë lidhje të tij të forta nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Ish – Drejtori i Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata. Drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj. Drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj. Drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi. Ish – Drejtorin e Kufirit në Vlorë Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.”
Demokratët thonë se lidhjet e Balilit me narkotrafikun i kanë denoncuar që në 18 Maj të 2014 -ës dhe se Drejtori i Transportit Rrugor në Sarandë rezulton i dënuar për 750 kg kanabis në Korrik të 2006 -ës.
Por në një reagim të Ministrisë së Brendshme këto akuza janë konsideruar tërësisht abuzive dhe sulme të pabaza.
Ministria e Brendshme thotë se prej muajsh po bashkëpunon me policinë greke dhe antidrogën amerikane në një nga operacionet më të gjera të trafikut të lëndëve narkotike.
Ministria e Brendshme nuk jep detaje për aksionin për shkak se cënon hetimin, por citon një deklaratë të policisë greke në të cilën përmendet bashkëpunimi me Policinë Shqiptare.
Tv Klan