PD, formulë të re për KQZ
Opozita me përfaqësues në komision me të drejtë vetoje
Një ditë përpara mbledhjes së Këshillit Politik, opozita ka gati propozimin e tretë për formulën e trupave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pas refuzimit të mazhorancës në tryezë.
Sipas formulës së re, përzgjedhja e kandidatëve në të tre nivelet e KQZ-së do të bëhet në një komision parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje.
Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët Komisionit Rregullator dhe 2 nga 5 anëtarët e Komisionit të Apelimit e Sanksioneve, ndërsa mazhoranca zgjedh 3 prej anëtarëve.
Më pas Kuvendi miraton ose rrëzon në bllok 5 të përzgjedhurit.
Për komisionerin, mazhoranca zgjedh 4 kandidatë, ndërsa përfaqësuesi i opozitës politike përjashton 2 dhe Kuvendi zgjedh 1 nga 2 të mbeturit.
Opozita propozon gjithashtu edhe uljen e kohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të KQZ-së, ku komisioneri dhe zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë, ndërsa anëtarët e KAS-it të kenë mandat 6 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
Formulat e mëparshme u hodhën poshtë nga mazhoranca në këshillin Politik me argumentin se përjashtonte opozitën parlamentare nga e drejta për të pasur anëtarë në komisionin ad hoc që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve.
Tv Klan