PD: I dënuari për ryshfet , mësues gjimnazi


PD: I dënuari për ryshfet , mësues gjimnazi

11:45 29/04/2014 Laura VorpsiiiPartia Demokratike tha sot se një mësues i dënuar për marrje rryshfeti për të dhënë nota kaluese në provime është emëruar mësues në gjimnazin “Naim Frashëri” të Fierit.  Sipas demokratëve, ky është një tjetër rast që tregon hapat e mbrapshtë që po ndjek qeveria në arsimin publik.

Ja deklarata e plotë e zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi:

“Fjalë të bukura shumë ka Edi Rama dhe qeveria, për arsimin. Por cfarë ndodh me shkollat tona, është krejt e kundërta.

Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë.

Në gjimnazin "Naim Frashëri" në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion.

Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009.

Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë. Kjo pra është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona”.

tvklan.al





Të ngjashme