PD kallëzim penal në Prokurori: Po blihen zgjedhjet në Dibër. PS: Akuza qesharake, deputetët e PD po bëjnë presion
Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas saj po blen vota dhe po kërcënon votuesit dibranë për llogari të kandidatit socialist Muharrem Rama.
Në kallëzimin e saj, PD përmend me emra të përveçëm disa persona që po ushtrojnë presion te votuesit. PD thotë se grupi drejtohet nga Dionis Ymeri, Drejtor i Tatimeve në Dibër, që sipas saj, është ngarkuar të sigurojë fonde financiare për blerjen e votave, si dhe është duke shpërndarë para në zonat e Sllovës dhe Kalasë së Dodës.
PD citon edhe kreun e PS -së së Dibrës, Afrim Mikli, që sipas saj, është i lidhur me persona me precedentë penalë. Sipas PD, në këtë grup ka drejtues të administratës publike, të tatimeve, drejtues të OSHEE-së, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, që janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjen e zgjedhjeve në Dibër.
Por në një reagim të Shtabit Elektoral të kandidatit socialist hidhen poshtë të gjitha këto akuza, duke e konsideruar kallëzimin penal krejtësisht të pavërtetë dhe me synime të paracaktuara politike.
Sipas PS, opozita po tenton të baltosë zgjedhjet, në një kohë kur deputetët, aleatët dhe ish-zyrtarët e saj kanë zbarkuar në Bashkinë Dibër, në përpjekjen për të intimiduar zgjedhësit dhe tjetërsuar vullnetin e tyre të lirë.
PS thotë se në krye të kërcënimeve është vënë vetë Lulzim Basha, që kërcënon qytetarët në telefon, ndërsa si të përfshirë fuqishëm në këtë proces, akuzon kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Tv Klan