PD, komision hetimor për aferën ARMO
Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për aferën ARMO. Disa ditë pas denoncimit të bërë nga deputetja Jorida Tabaku, se rafineria e naftës, iu dha biznesmenit Besnik Sulaj pa paguar asnjë lek, për shkak të lidhjeve të tij të aferta me Kryeministrin, opozita ka ndërmarrë nismën që këtë çështje ta hetojë një komision i posaçëm.
Mënyra se si është kryer ky transaksion për kalimin e këtij aseti tek kompania IRTC, të regjistuar në ishujt Virxhin, pas të cilës PD thotë se fshihet biznesmeni Sulaj, ka ngjallur dyshime të forta.
Asnjë nga institucionet shtetërore nuk pranon të bëjnë transparencën e kontratës. As Ministria e Ekonomisë që zotëron 15 % të kompanisë ARMO dhe as Drejtoria e Doganave apo ajo e Tatimeve, të cilave ARMO u ka borxh rreth 85 milionë dollarë.
Misteri shtohet kur nuk dihet se sa para janë paguar për blerjen e rafinerisë së Ballshit dhe ku kanë shkuar këto para që vijnë nga shitja e një aseti të një kompanie që ka plot 595 milionë borxhe në shtet dhe në banka.
Vetëm Drejtorisë së Tatimeve ARMO i ka afro 60 milionë dollarë borxhe. Por Tatimet nuk shpjegojnë se si është lejuar shitja e rafinerisë dhe nëse kanë marrë ndonjë pjesë të shumës së përfituar, për detyrimet e pashlyera.
25 milionë dollarë arrijnë borxhet e kompanisë ARMO ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por as ky institucion nuk flet për shitjen e rafinerisë së Ballshit kompanisë, pas të cilës opozita thotë se fshihet biznesmeni mik i Kryeministrit.
Edhe lajmi për shitjen e rafinerisë u mbajt i fshehur dhe ai u bë publik vetëm nga një deklaratë e kompanisë Bankers Petrolium, e cila njoftonte se kishte bërë një marrëveshje që t’i jepte kompanisë offshore 65 % të prodhimit për ta përpunuar në rafinerinë e Ballshit dhe të Fierit.
Në kushtet kur transparenca mungon, pritet që mbi këtë aferë të hedhë dritë komisioni parlamentar që do të kërkojë opozita, nga i cili pritet edhe publikimi i kontratës, shumave të paguara, të destinacionit të parave dhe i emrave të pronarëve të vërtetë të ARMO -s.
Tv Klan