PD: Krerë të policisë të implikuar në grabitjen e Rinasit
Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri se po mbajnë të fshehta disa fakte që sipas opozitës implikojnë shefa të rëndësishëm të policisë në grabitjen e Rinasit.
Kreu i Rendit dhe sigurisë në selinë blu, Enkelejd Alibeaj tha se policia është njoftuar nga autoritetet e aeroportit, sapo ka ndodhur ngjarja, por përgjigja ka qënë se furgoni i Policisë ndodhej në pistë për të pritur dhe shoqëruar persona të deportuar.
Enkelejd Alibeaj, Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD:
“Edhe pse një furgon i grupit të gatshëm gjendej aty i dislokuar, pas sulmeve të Stambollit, Policia ka arritur në vendngjarje vetëm pas 30 minutash. Dy akset e vetme nga mund të ikin grabitësit, ai nga Rinasi në Tiranë dhe Rinas-Fushe Krujë, nuk u bllokuan nga Policia në kohën e duhur.”
Partia Demokratike ka dyshime se edhe shumë e grabitur është disa herë më e madhe nga sa është raportuar zyrtarisht.
Enkelejd Alibeaj, Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD:
“Rama e Ministri Tahiri po tentojnë të servirin të dhëna të gënjeshtërta edhe në lidhje me shumën e grabitur. Burime serioze pranë bankave të nivelit të dytë flasin për një shumë rreth 10 milionë euro.”
Demokratët i bënë sërish thirrje Prokurorisë të hetojë të gjithë rrethanat e dyshimta e të nxjerrë përgjegjesitë për grabitjen e Rinasit, që sipas opozitës është një prej goditjeve më të mëdha të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare në vend.
Tv Klan