PD: Mbrojtja e Tahirit mund të rrezikojë hapjen e negociatave
Partia Demokratike thotë se përgjimet e autoriteteve italiane janë provë e implikimit të ish- Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në trafikun e drogës.
“Nga përgjimet e autoriteteve italiane provohet se Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm, Jaeld Çela, Drejtor i Policisë së Vlorës i emëruar nga Tahiri, Florian dhe Moisi Habilaj, trafikantë droge që përdornin makinën e Tahirit, Gentian Çeka, shofer personal i Tahirit dhe Orest Sota, mik i Tahirit që iu gjetën 863 mije euro me patentat e Tahirit, janë një grup i strukturuar kriminal, secili me rolin e vet, me qëllimin e përbashkët, trafikimin e kanabisit drejt Italisë”
, tha Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për shtyp.
Deputeti demokrat tha se Tahiri ka mbrojtjen politike të Kryeministrit të vendit.
“
Këto prova të implikimit të Tahirit në trafikun e drogës, si dhe shumë të tjera për të cilat Edi Rama është në dijeni, janë arsyeja pse Kryeministri e ktheu Parlamentin në një Gjykatë Politike, duke mos lejuar Drejtësinë të bëjë detyrën.”
Sipas opozitës mbrojtja politike që po i jep ish-vartësit të tij Kryeministri Rama mund të rrezikojë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“
Kostoja e imunitetit politik për Saimir Tahirin mund të rezultojë shumë e lartë për shqiptarët, përderisa vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë Saimir Tahirin para drejtësisë që Shqipërisë t’i hapen negociatat e anëtarësimit.
”
/tvklan.al