PD: Miku i Olsi Ramës në krye të RTSH -së


PD: Miku i Olsi Ramës në krye të RTSH -së

15:31 07/05/2016

Pas emërimit të Thoma Gëllçit në krye të Radio Televizionit Shqiptar, demokratët thonë se fshihen aferat e radhës së Kryeministrit Rama me fondet dhe tenderat e këtij institucioni. Për ta vërtetuar këtë akuzë, Deputeti Luçiano Boçi bëri publike një foto, që sipas tij, fakton lidhjet e ngushta mes Drejtorit të ri të RTSH -së, me vëllain e kreut të qeverisë.

Luçiano Boçi: 

“Edi Rama ka bërë publik udhërrëfyesin se si mund të bëhesh drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, të këtij institucioni me mijëra të punësuar, me fond 20 milionë euro në vit, dhe me disa tendera dhjetra milionë euro në vazhdim.Kjo foto është mesazhi i Edi Ramës për këdo që aspiron të bëjë karrierë, të drejtojë institucione të rëndësishme në vend. Rregulloje me Olsin dhe e ke të garantuar. Kjo është oligarkia në aksion, korrupsioni ulëritës dhe nepotizmi pa asnjë limit”.

Por Deputeti i opozitës, njëherazi edhe anëtar i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi në deklaratën e tij, ashtu si edhe një ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, sërish nuk komentoi votën pro kandidaturës së Thoma Gëllçit nga ana e përfaqësuesit të demokratëve në Këshillin Drejtues të RTSH -së, Saimir Kumbaro.

Regjisori i njohur është i afërm i Deputetit të PD -së, Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias, i cili mendohet se ka ndikuar edhe në përzgjedhjen e Kumbaros si përfaqësues i opozitës në Këshillin Drejtues të RTVSH -së.

Nuk dihet arsyeja se përse z.Kumbaro ka dhënë votën e tij pro zgjedhjes së Thoma Gëllçit si Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH, në një kohë kur, katër anëtarët e tjerë të opozitës në Këshill, kanë votuar kundër tij, si në 3 raundet e mëparshme.

Zgjedhja e Gëllçit do të bëhej me shumicë të thjeshtë në votimin e radhës, por kjo u anashkalua pas rredhjes së votave nga anëtarët e propozuar nga Partia Demokratike.

Tv Klan






Të ngjashme