PD: Një fasoneri në Tiranë, vatër për Covid-19


PD: Një fasoneri në Tiranë, vatër për Covid-19

09:52 30/04/2020

Sipas Partisë Demokratike, një fasoneri në Tiranë është vatra e re infektuese me Covid-19.

Është ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se disa punonjëse kanë rezultuar pozitive me sëmundjen.

Sipas saj, tashmë rrezikohet infektimi i kolegeve të tyre.

“Një tjetër vatër COVID-19, në një fasoneri në Tiranë. Informacione shqetësuese vijnë për shpërthimin e një vatre të re infektuese në një fasoneri në Tiranë. Disa punonjëse kanë rezultuar pozitive me COVID19 duke rrezikuar infektimin e qindra kolegeve të tyre, të cilat në nevojë të skajshme për mbijetesë detyrohen të shkojnë në punë për të mos humbur pagën”, shkruan Vokshi.

Ish-deputetja demokrate thotë se kjo ngjarje vjen si papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë postimit të saj, ajo i drejton disa kërkesa kreut të ekzekutivit. Sipas Vokshit, qeveria duhet të testojë të gjithë punonjëset e fasonerive.

“Si qytetare, por më së shumti si nënë, i bëj thirrje qeverisë të marrë masa urgjente për:

1- Testimin e të gjithë punonjësve të fasonerive me qëllim evidentimin dhe izolimin e vatrave të përhapjes së virusit;

2- Të ngrejë një grup pune për të parë nga afër situtën në të gjitha bizneset fasonë e t’i mbyllë për një afat të caktuar në kohë duke u konsultuar ngushtësisht me përfaqësuesit e këtij biznesi për të vendosur së bashku për protokollin e masave për këtë sektor;

3- Qeveria të mbështesë me pagë minimale të gjithë punonjësit e biznesit fason, jo si lëmoshë, por si e drejtë ekonomike, kushtetuese;

4- Qeveria të mbështesë me lehtësira fiskale e mbështetje financiare biznesin fason, një nga sektorët punëdhënës më të mëdhenj në Shqipëri;

5- Qeveria të marrë masa urgjente shëndetësore, sociale, ekonomike për të mbrojtur shëndetin e dhjetëra mijëra grave e vajzave që punojnë në këtë sektor”, thotë Vokshi./tvklan.al






Të ngjashme