PD nuk njeh ndarjen e re elektorale, Paloka: “Ky është një manipulim” – (15 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
“Ndarja e re e zonave elektorale është një nga elementët kryesor të manipulimit, që po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Kështu ka deklaruar sot zëdhënësi i selisë blu Edi Paloka, i cili tha se Meta ka dërguar në parlamentin e Gjinushit, ndarjen e zonave duke vërtetuar edhe njëherë se janë të vendosur të ecin në rrugën e farsës elektorale.
Sipas Palokës, komisioni i kufijve të zonave zgjedhore, ka shkelur me koshiencë të plotë edhe ligjet, që vetë këta pushtetarë kanë miratuar. PD deklaroi se nuk njeh asnjë ndarje të re, të ndërtuar në bazë të listave të manipuluara të përgatitura nga komisionet e Metës. PD, nuk do të pranojë kurrë tha Paloka, të bëhet përsëri pjesë e farsës elektorale, prandaj do të vazhdojë protesta derisa në Shqipëri, të krijohen kushtet reale për zgjedhje të lira e të ndershme./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego