PD padit kryeprokuroren Arta Markun: Largoi prokurorët që hetonin Tahirin


PD padit kryeprokuroren Arta Markun: Largoi prokurorët që hetonin Tahirin

15:39 21/09/2018

Opozita ka paditur kryeprokuroren Arta Marku për largim të paligjshëm të prokurorëve që hetojnë ish -​ ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me qëllim mbylljen e hetimit ndaj tij.

Në kallëzim thuhet se “Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”.

Largimet e paligjshme të prokurorëve, sipas opozitës janë të urdhëruara politikisht dhe se Marku ka shpërdoruar detyrën, duke shpërbërë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish – ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas opozitës, Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj Tahirit dhe se akte të tilla të paligjshme nga kryeprokurorja provojnë se qëllimi i saj në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Ramës dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë apo organizatave kriminale të lidhura me të.

Tv Klan






Të ngjashme