PD: Pasardhës të diktaturës me poste diplomatike


PD: Pasardhës të diktaturës me poste diplomatike

21:57 01/07/2018

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama se e ka shndërruar diplomacinë shqiptare në strehën e pinjollëve te ish diktaturës komuniste.

Në një dalje për mediat, deputetja e PD, Dhurata Çupi tha se Ministri Ditmir Bushati ka emëruar familjarët e ish Byrosë Politike në poste të rëndësishme diplomatike.

Rasti i fundit është ai i emërimit të ambasadorit të Shqipërisë në Suedi të Virgjil Kules, dhëndri Rita Markos. Ky emërim nuk është i rastësishëm! Mbesa e Hysni Kapos është emëruar ambasadore në UNESCO. Dhëndri i Lenka Çukos ambasador në Izrael.

Çupa tha se këta janë njerëzit që, bashkë me Enver Hoxhën, burgosën dhe vranë kundërshtarët e regjimit të tyre gjakatar, shtypën dhe sunduan për gati 5 dekada shqiptarët,

Asnjë nga këto emërime nuk është rastësi! Edi Rama e konceptoi Rilindjen si bashkim mes krimit dhe pinjollëve e funksionarëve të regjimit komunist, duke nisur nga ai vetë. Dhe bashkë me Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin, Ilir Beqjen, dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë, me rikthimin në  shërbimin sekret të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, me portretin e Enver Hoxhës në festat zyrtare, Edi Rama ka ngritur sistemin kriminal të narkoenverizmit, një diktaturë e re që pushtetin e ka bazuar tek blerja e votës me paratë e drogës dhe të krimit.

Partia Demokratike tha se nuk do të njohë asnjë nga emërimet e lidhjeve të Edi Ramës me diktaturën komuniste dhe krimin./tvklan.al






Të ngjashme