PD prezanton formulën e re për vetingun


PD prezanton formulën e re për vetingun

14:40 08/07/2016

Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita bëri publike formulën e saj për Reformën në Drejtësi, që ka të bëjë me mënyrën sesi do të zgjidhen 12 komisionerët, që do të bëjë vetingun.

Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi tha se propozimi i demokratëve ofron një kompromis të mundshëm mes palëve duke larguar ndikimin politik në procesin e vetingut.

Sipas tij është parë më rëndësi të veçantë që ky proces t’i besohet Gjykatës Kushtetuese, si një organ i vlerësuar edhe nga Komisioni i Venecias. Sipas Bylykbashit i gjithë procesi kalon nëpër disa hallka. Hapi i parë është shpallja e vakancave, që do të bëhet nga Presidenti ose Avokati i Popullit.

Më pas vjen procesi i vlerësimit të kandidatëve që do të bëhet nga 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të përzgjedhur me short. Hapi i tretë i jep të pakënaqurve mundësinë e ankimimit, ndërsa hapi i fundit është përzgjedhja e kandidatëve, që do të bëhet nga një komision parlamentar “ad hoc” me përfaqësi të barabartë maxhorancë-opozitë, ku çdo anëtar do të ketë vetëm një votë dhe votimi do të jetë i fshehtë elektronik.

Më pas lista e përzgjedhur i dërgohet për votim Kuvendit dhe votohet si e tërë në bllok me 2/3 e votave të deputetëve.

Por ky propozim i opozitës u hodh poshtë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, që e quajti avaz të vjetër. Ndërsa ambasadori amerikan Donald Lu përmes një letre drejtuar deputetëve të Kuvendit në mungesë konsensusi i ftonte të votonin në 21 korrik draftin e miratuar në komision më 14 qershor, si varianti në përputhje të plotë me standardet e Komisionit të Venecias dhe ato europiane dhe shpjegonte arsyet perse SHBE e BE ishin shprehur kundër vendeve të rezervuara. /TV KLAN






Të ngjashme