PD – PS miratojnë kapitullin e parë për Drejtësinë
Maxhoranca dhe opozita kaluan me konsensus kapitullin e parë të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Reformës në Drejtësi.
Por mbledhja mes palëve nuk kaloi pa debate.
Shkak u bë neni tre i draftit, sipas të cilit, ndalohet për një kohëzgjatje të caktuar zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik individët që kanë kryer një vepër të rëndë penale.
Opozita e kundërshtoi këtë ndërhyrje me argumentin se futja e këtij neni bën nul një tjetër nen në Ligjin për Dekriminalizimin, në të cilin personat që kanë kryer vepra të rënda penale përjashtohen përjetë nga e drejta e kandidimit.
Pas mbledhjes së Komisionit, Nënkryetari Eduart Halimi e cilësoi futjen e këtij neni në axhendën e Komisionit provokim.
“Qëndrimi i opozitës ishte i qartë se, Reforma në Drejtësi është që të largojë dhe të dënojë personat që kanë kryer krime të tmerrshme. Personat që kanë qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizmit dhe personat që kanë kryer krime. Futja e këtij neni në axhendën e Reformës në Drejtësi ishte një provokim dhe atentat që kërkohej t’i bëhej Reformës në Drejtësi”.
Ndonëse neni tre i draftit u hodh në votim, pas insistimit të demokratëve, ekspertët e huaj e tërhoqën atë, duke e bërë nul vendimin që kaloi me votën e dyfishtë të Kryetarit të Komisionit, Fatmir Xhafaj.
Jolldiz Mitro/Tv Klan