PD: Qendra Shëndetësore e Kamzës s’ka alkool e doreza
“Stafi mjekësor në mëshirë të fatit”
Inspektimin e parë për të parë masat që ka marrë qeveria për mbrojtjen e qytetarëve dhe mjekëve nga koronavirusi, anëtarët e grupit të punës të ngritur në Partinë Demokratike e nisën nga Qendra Shëndetësore e Kamzës.
Pas takimit që patën me mjekë e infermiere të kësaj qendre, ish-deputetja Albana Vokshi dhe Gazmend Koduzi folën me shqetësim për mungesën deri të elementëve bazikë që u nevojiten bluzave të bardha në punën e përditshme.
“Pamë vetë se nuk janë pajisur as me doreza e maska desinfektante”, tha ish-deputetja demokrate Albana Vokshi.
“Ata janë porta e parë e këtij virusi dhe nëse ata kontaminohen me këtë virus, do jenë bartës të këtij virusi dhe do kontaminojnë të tjerët”, u shpreh Gazmend Koduzi, anëtar i grupit të punës në PD.
Vokshi e Koduzi thanë se inspektimet do të vijojnë në disa qendra shëndetësore pas mesazheve dhe telefonatave të qytetarëve e mjekëve të mbërritura në selinë blu për mungesën e pajisjeve me mjetet elementare.
Tv Klan