PD: Rama në aksion për blerjen e votave në Dibër
Një një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri ka akuzuar kryeministrin Rama, i cili sipas tij është hedhur në aksion për të blerë votat e qytetarëve të Dibrës. Në deklaratë thuhet se Edi Rama po përdor çdo mercenar e çdo instrument për të mos lejuar votën e lirë të qytetarëve.
Deklarata e plotë e deputetit të PD-së, Gent Strazimiri
Edi Rama është hedhur në aksion për të kapur, dhunuar e blerë votën e qytetarëve te Dibrës.
Ai po përdor çdo mercenar e çdo instrument që ka në dorë për të mos lejuar votën e lirë të qytetarëve, sepse e di mirë se cili është gjykimi i popullit për të, e di mirë se e pret ndëshkimi i popullit për qeverisjen e tij të varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe krimit.
Spikat së fundmi, drejtori i Arsimit në Dibër, Drin Gjeci, i cili thërret arsimtarët në zyrë, duke i kërcënuar me njoftime për largim nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë. Janë rreth 300 arsimtarë të kërcënuar deri tani.
E njëjta metodë u përdor edhe në zgjedhjet e 2015, ku mesuesit u shantazhuan me vendin e punës, me bukën e gojës për të dhënë votën për qeverinë.
Ky mercenar i Edi Ramës në Dibër, jo vetëm u ka marrë para mësuesve për ti futur në punë, dhe për këtë ekzistojnë edhe video, por tani ju kërkon edhe votën që të qëndrojnë në punë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë drejtor të korruptuar që kërcënon qytetarët me vendin e punës, në këmbim të votës.
Ju bëjmë thirrje arsimtarëve të Dibrës dhe po kështu edhe të gjithë punonjësve të sektorit publik të refuzojnë me përbuzje këto kërcënime kriminale.
Këto janë grahmat e fundit të një bande që kërkon me cdo mjet të zgjasë ditët e saj.
Mercenarët e Edi Ramës, Drin Gjeci me shoke duhet ta dine mire, që presionet e tyre janë dhe do të jenë të vëzhguara, të dokumentuara, dhe do të shërbejnë si provë jo vetëm për vëzhguesit e partnerët ndërkombëtarë, por sidomos për prokurorinë e gjykatën para të cilave do te japin llogari e do të përgjigjen deri më një për krimet e tyre zgjedhore e korruptive.
Dibra është e dibranëve dhe vetëm ata do të vendosin me votën e tyre të lirë për kryebashkiakun.
Bashkimi i madh popullor do të hedhë poshtë cdo përpjekje, cdo krim elektoral, çdo mercenar të korruptuar të Edi Ramës.
Dibra, si gjithë Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën./
tvklan.al