PD: Rama si Lukashenko, refuzoi thirrjet e BE për Kodin Zgjedhor
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar kundër vendimit të Kuvendit për rrëzimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Në një deklaratë në emër të PD, Bardhi tha se “me rrëzimin e dekretit të presidentit, duke refuzuar thirrjen e Bashkimit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e njëanshëm Zgjedhor, Shqipëria është më pak demokratike dhe më pak europiane”.
Numri 2 i PD u shpreh se Edi Rama nuk ndryshon nga Lukashenko, pasi ka refuzuar thirrjet e përsëritura të Bashkimit Evropian.
“Injorimi i thirrjes së Bashkimit Evropian për të pritur Opinionin e Komisionit e izolon përfundimisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Evropën. Kjo është përgjegjësia e vetëm një njeriu, që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Më tej Bardhi shprehet se çdo akt i Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit tregon se ai ka frikë nga zgjedhjet!.
“Pas 25 Prillit ai do të mbajë përgjegjësi ligjore për çdo të keqe që i ka bërë vendit dhe shqiptarëve në këto 8 vjet! Nuk ka as Kod Zgjedhor, as Kushtetutë, asnjë formulë magjike që ta shpëtojë nga vota e shqiptarëve!”, përfundon ai./tvklan.al