PD: Rama zhvat pasuritë e shqiptarëve
Opozita akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama për plaçkitje të kompanisë ARMO, me privatizimin e rafinerisë së Ballshit. Deputetja Jorida Tabaku thotë se aseti më i rëndësishëm i kompanisë po blihet nga miku i Kryeministrit, biznesmeni Besnik Sulaj, i cili ka privatizuar më parë rafinerinë e Fierit, duke shtënë kështu në dorë të gjithë industrinë e përpunimit të naftës në vend.
“Ashtu siç ndodhi me koncesionin e TVSH që u denoncua nga opozita, ashtu siç po ndodh me portin e Karpenit e me shumë asete të tjera. Kompani off-shore, pa kapitale, me pronarë te paidentifikueshëm, shtijnë në dorë pasuritë e shqiptarëve. Por këtë herë ka një emër dhe një biznesmen të qeverisë qartësisht të përfshirë. Mikun e Ramës, Besnik Sulën.”
Sipas opozitës, kjo skemë u realizua përmes presionesh e shantazhesh. Faktet, thotë Deputetja Tabaku, zbulojnë se pas saj qëndron Sulaj.
“Skema e Ramës dhe shërbëtorëve të tij përfshiu shantazhet dhe presionet që ARMO t’i dorëzohet biznesmenit të mirënjohur dhe mbështetës së Kryeministrit. Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A është regjistruar më së pari në British Virgin Island dhe para dy muajve e regjistruar në Shqipëri ka marrë asetin më të rëndësishëm të ARMO-s Rafinerinë e Ballshi?!. Kompania blerëse ka përfaqësues ligjor Taulant Musabelliun, që është administratori i kompanisë “Sulaj Progres Group” në pronësi të biznesmenit Besnik Sula, mik i afërt i Kryeministrit Rama.”
Me shtënien në dorë të dy rafinerive, opozita shprehet se Sula është bërë pronar i vetëm i kompanisë ARMO, pa paguar asnjë lek.
“Marrja e rafinerisë së Ballshit, pas marrjes nga Sula muaj më parë të rafinerisë së Fierit, praktikisht e bën atë pronar të vetëm të ARMO-s, pa shpenzuar asnjë lek nga xhepi i tij. Pra, de fakto tashmë është e privatizuar, por paratë në vend që t’u shkojnë shqiptarëve, i shkojnë Ramës. Kjo është skema e Ramës. Vjedh pasuritë kombëtare për vete dhe oligarkët e tij. Plaçkit buxhetin me tendera dhe koncesione korruptivë. Mbush me drogë Shqipërinë për hesap të krimit me mbështetje qeveritare.”
Për shqiptarët, thotë Deputetja Tabaku, Rama ka lënë varfërinë, burgun ose emigracionin.
Tv Klan