Opozita në protestë për dorëheqjen e Xhafajt
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ndodhej në mbledhjen e Grupit Parlamentar kur deputetë dhe mbështetës të opozitës protestuan poshtë zyrës së tij.
Kordonin e forcave të policisë që ishin vendosur në perimetrin e godinës së Ministrisë së Brendshme, tentuan ta thyejnë që në nisje të protestës.
Krahas kutive të kartonit që simbolizonin pakot me drogë, protestuesit qëlluan edhe me vezë në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Edi Paloka, bëri një paralajmërim për kryeministrin, teksa i dha përgjigje për fjalën e mbajtur në grupin socialist.
“Rama është koka e krimit të organizuar. I diktoi Prokurorisë qëndrimin e audiopërgjimit.
Ajo shprehja ‘nuk ka parë asgjë akoma’, është e vlefshme edhe për rastin Xhafaj. Rama do pendohet shumë shpejt, e patë skandalin që ka verifikuar përgjimin? Do ja dëgjojë krismën mbrapa. Rasti Xhafaj sapo ka filluar dhe ai do të pendohet shumë shpejt për deklaratat që bëri sot. Kupola dihet, ka në krye Edi Ramën, nuk janë rastësisht këta ministra që vijnë njëri pas tjetrit të gjithë të lidhur me drogën dhe krimin, mafia kështu funksionon.
”
Më herët demokratët bllokuan sikundër një ditë më parë vijimin normal të punimeve të komisioneve parlamentare, ku sërish kërkuan dorëheqjen e Ministrit Xhafaj.
Tonet e ashpra dhe replikat kësaj radhe ishin mes demokratëve dhe zv/Ministres së Brendshme, Rovena Voda, e ftuar për të raportuar në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë edhe seancën plenare të së enjtes, nëse ministri Xhafaj nuk do të dorëhiqej.
Tv Klan