PD reagon ndaj deklaratës së ministrit të Rendit Spartak Poçi (24 korrik 2000)
Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj një deklarate të ministrit të Rendit Spartak Poçi, në të cilin ai shprehet se në Kukës rendi është plotësisht i stabilizuar dhe se nuk ka patur asnjë problem ditët e fundit. Deklarata e ministrit të Rendit është bërë pas deklaratës së autoriteteve lokale për heqjen e drejtorit rajonal të policisë. Ministri Poçi ka hedhur poshtë këtë kërkesë duke e motivuar në shkeljen e rregullave dhe ligjeve të policisë. Asnjë objekt politik nuk ka të drejtë të kërkojë heqjen e drejtuesve të lartë të rendit.
Partia Demokratike ka lidhur kërkesën për heqjen e drejtorit të policisë me mungesën e rendit. Ajo ka deklaruar sot se rendi në Kukës lë shumë për të dëshiruar. Sipas zëdhënësit Edi Paloka, rastet e ditëve të fundit kanë qenë të shumta si grabitja e kosovarëve, misionarëve të Kryqit të Kuq, plagosja e një shtetasi amerikan, vrasja e dy vëllëzërve në Krumë e të tjerë. Të gjitha këto ngjarje tha Paloka dëshmojnë se rendi në Kukës ashtu si pjesën më të madhe të Shqipërisë, është në gjendje katastrofale./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego