PD reagon pas deklaratës së Ambasadës Amerikane, sqaron ngërçin
Nën kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi ka sqaruar ngërçin për të cilin rrezikohet konsensusi, sa i përket reformës në drejtësi. Nga mbledhja e këtij komisioni, Bylykbashi tha se të hënën është ranë dakord që formulua e Vetingut do përdorej për KLGJ e KLP.
“Kjo formulë ka qenë nga fillimi deri në fund elementi kyç. Në mbledhjet negociuese unë kam deklaruar se formula për zgjedhjen e këtyre anëtarëve do të jetë e njëjtë si për vetingun. Përfaqësuesi i PS ka thënë se ndarja e anëtarëve do të jetë 3 me 2. E konfirmoj se kjo ka qenë përgjatë gjithë negociatës së të hënës dhe është dhënë kjo përgjigje: formula për vetingun do të jetë e njëjta për këto organe”, ka deklaruar Bylykbashi.
Këto deklarata ai i ka bërë nga salla e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën, ku i pranishëm veç deputetëve të PD ka qenë edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Bylykbashi ka theksuar se, “kjo është formula që përmban opinioni i Komisionit të Venecias e që përmban propozimi hibrid i bërë nga ndihmës sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland”.
“Zoti Xhafaj ka sjellë një formulë për të cilën nuk është rënë dakord. Me veprimin e tyre, anëtarët e PS po vënë në pikëpyetje miratimin e marrëveshjes nga parlamenti nesër. PS po vepron në mënyrë tinëzare për të prishur konsensusin”, ka shtuar Bylykbashi.
Regimi i Partisë Demokratike
Pas deklaratës së Ambasadës Amerikane, se Basha ka shkelur konsensusin e arritur, edhe Partia Demokratike ka reaguar me anë të një deklarate ku thotë se bllokimi i ndodhur në orët e fundit nuk vjen prej saj.
“Partia Demokratike rikonfirmon se negociatorët Bylykbashi, Agaci dhe Manjani të hënën mbrëma kanë rënë dakord që formula e propozimit hibrid për institucionet e vetingut do të përdoret edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë Prokurorial. Kjo është një formulë në përputhje me rekomandimin e Venecias e aprovuar si e tillë nga komuniteti ndërkombëtar dhe së fundmi edhe nga Partia Socialiste dhe ditën e sotme edhe nga Edi Rama”, thotë PD.
Më tej në deklaratë thuhet se, “hapi mbrapa i përfaqësuesve të PS në Komision, kërkesa për t’u kthyer në formulën e votës së vetme të transferueshme të refuzuar publikisht nga Partia Demokratike, dhe refuzimi për të zbatuar marrëveshjen është një zhvillim dramatik”
./tvklan.al