PD reagon për vendimin e KQZ ndaj afatit të regjistrimit të votuesve – (13 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Shtyrja e afatit të regjistrimit të votuesve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka kënaqur aspak Partinë Demokratike. Sipas zëdhënësit të selisë blu, Edi Paloka, tre ditë nuk janë të mjaftueshme për regjistrimin e mijëra njerëzve të lënë jashtë listave. Për partinë Demokratike, ky është vetëm një show i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përball presionit të komunitetit ndërkombëtar.
Partia Demokratike ka kërkuar që afati i regjistrimit të shtyhet deri më 28 Shtator, jo deri më 16 siç ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PD ka reaguar sot edhe ndaj vërejtjes të KQZ për të larguar të huajt nga fushata e saj elektorale. Partia Demokratike, tha Paloka, si partia që nxori Shqipërinë nga izolimi është e vendosur të bashkëpunojë me të gjithë miqtë e Shqiptarëve në botë mbi bazën e partneritetit e jo të vasalitetit. Sipas tij, askush nuk mund të detyrojë demokratët të zhvillojnë këto marrëdhënie./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego