PD: Të gjithë në dijeni për drogën në Rinas, reagon policia


PD: Të gjithë në dijeni për drogën në Rinas, reagon policia

13:30 05/09/2016

Pasi ka denoncuar dy ditë më parë një parcelë me kanabis, që pretendon se gjendet pranë aeroportit të Rinasit, Partia Demokratike e cilëson mungesën e reagimit nga qeveria si përfshirje të saj në këtë aktivitet kriminal.

Kreu i Departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se i përfshirë është edhe kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

Enkelejd Alibeaj: Të gjithë kanë dijeni, nga operativi i zonës, tek polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë, Tahiri, Rama; por e fshehin, e ruajnë, dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg.

Demokratët thonë se policia ka ndërhyrë në një pjesë të parcelës ndërsa tashmë kultivuesit po përgatiten ta mbledhin drogën, për të cilën hedhin dyshime se skryeministri ka përqindjen e tij të fitimit.

Enkelejd Alibeaj: Ky është sundimi i bandës së drogës në vend. Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës i cili është në krye të skemës së 30 përqind të përfitimit. 

Opozita pretendon se në parcelën në fjalë janë mbjellë 50 mijë rrënjë kanabis.

Por pas këtyre akuzave ka ardhur dhe reagimi i Policisë së Krujës. Me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat, sqarohet se në bazë të një procedimi penal të nisur më 12 Korrik, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krujës, ditën e sotme është bërë i mundur arrestimi i 28 – vjeçarit Edmond Cangu, ndërsa është shpallur në kërkim 32 – vjeçari K.Ç. dhe 49 –vjeçari Gj.T. 49 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Në kuadër të këtij procedimi, sqaron policia, duke filluar nga datat 4 Shtator 2015, janë asgjësuar edhe 2 parcela me 5.400 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Larushk, Krujë.

Sipas policisë, ndryshe nga sa deklaroi Partia Demokratike, këto parcela nuk janë në mbrojtje të Policisë së Shtetit, por procedimet kanë nisur disa javë më herët dhe synojnë jo vetëm asgjësimin, por edhe dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të aktivitetit anti-ligjor.

“Bëjmë me dijeni publikun se deklaratat e PD i referoheshin pikërisht këtij procedimi penal për kultivim të lëndëve narkotike. Policia fton subjektin politik PD të mos bëjë akuza të pabaza, e mbi të gjitha të interesohet zyrtarisht pranë Policisë dhe Prokurorisë përpara se të bëjë deklarata publike. Në të kundërt, PD vë në rrezik procedimet penale të nisura nga Policia, duke i dhënë ndihmë shkelësve të ligjit”,

thuhet në deklaratë./tvklan.al






Të ngjashme