PD: Vëllai i Fatmir Xhafajt kërkohet për trafik ndërkombëtar droge. Policia: Nuk ka asnjë udhër – arresti
Opozita dhe policia e shtetit u përplasën sërish sot. Një ditë pasi kryeministri Berisha akuzoi policinë se ka fshehur një kërkesë të Interpol Venezuelës për ekstradimin e Agron Xhafes të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, Partia Demokratike ka lëshuar akuza ndaj vëllait të tij, deputetit socialist, Fatmir Xhafaj.
Në një deklaratë të Selisë Blu thuhet se e kaluara kriminale e vëllait është arsyeja përse Xhafaj këmbëngulte për të kapur drejtësinë, sipas skemës së tij.
“Faktet e fundit në lidhje me të kaluarën kriminale të vëllait të Fatmir Xhafës, të caktuar nga Edi Rama në krye të komisionit për Reformën në Drejtësi, nxjerrin në pah këmbënguljen në skemën për kapjen e prokurorëve dhe gjykatësve, e gjithë institucioneve përmes kunetërve e besnikëve të devotsheë.
Sidomos lajmi se Venezuela ka sjellë në Shqipëri një kërkesë esktradimi për vëllain e Xhafës në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, zbulon nevojën e tij për të qënë në krye të reformës e për të kapur me çdo kusht drejtësinë.
Por Rama, Xhafaj bashkë me vëllanë në kërkim ndërkombëtar për trafik droge nga Venezuela në Spanjë e Itali, nuk ia dolen dot të nënshtronin drejtësinë dhe standardet e Venecias e përkushtimi i opozitës dogjën skemën e tyre mafioze.”
Policia e Shtetit, në një reagim ndaj deklaratës së opozitës, tha se nuk ekziston asnjë udhër arresti për Agron Xhafajn.
“Policia e Shtetit konfirmon se nuk ka asnjë urdhër-kërkimi apo urdhër-arresti për shtetasin e përmendur në deklaratën e subjektit politik Partia Demokratike. Nga kontrolli i plotë dhe i hollësishëm në sistemin e kërkimit të Interpol nuk figuron asnjë material, kërkesë për informacion, verifikim apo urdhër arresti nga asnjë Zyrë homologe për shtetasin Agron Xhafa/j. Policia e Shtetit fton Partinë Demokratike të ndalë abuzimet.”
Policia e ftoi Partinë Demokratike që t’u drejtohet autoriteteve nëse kërkon të vërtetën për këtë rast.
Tv Klan