PE kërkon sërish heqjen e vizave për Kosovën
Fushata parazgjedhore e 2021-ës e ka një veçanti. Kandidatët për kryeministër e as ata për president të Republikës nuk po premtojnë liberalizimin e vizave. Në dekadën e fundit ky ka qenë premtim kapital i partive politike, por që kurrë nuk u realizua.
Ndërkohë nga Brukseli vijnë lajme për një angazhim të eurodeputetëve që të ecet para me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës për në Zonën Schengen.
“Për momentin po negociohet Raporti për Kosovën në Parlamentin Evropian. Me këtë dokument do ti kërkohet disa vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të heqin bllokadën e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të gjitha kriteret tashmë janë plotësuar dhe kosovarët meritojnë udhëtimin e lirë pa viza”, tha eurodeputeti Lukas Mandl.
Për t’u bërë realitet liberalizimi duhet të votohet nga Këshilli Evropian përderisa Komisioni disa herë ndër vite ka aprovuar vendim se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se vendet anëtare duhet të votojnë.
Zyrtarisht Franca dhe Holanda janë dy vendet që i kanë thënë Jo liberalizimit për shtetasit e Kosovës.
Parisi dhe Amsterdami kërkojnë nga Prishtina zyrtare rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
“Parlamenti Evropian vepron në emër të evropianëve. Ne jemi përfaqësuesit e popullit dhe po e shtyjmë përpara procesin në mënyra të ndryshme. I mbetet Këshillit të BE-së pra vendeve anëtare të vendosin për heqjen e regjimit të vizave”, thotë Mandl.
Liderët e Bashkimit Evropian sipas agjendës më 24 dhe 25 Qershor debatojnë për ardhmërinë e Zonës së lëvizjes së Lirë Schengen ku Kosova mëton të bëhet pjesë tash e 12 vjet./klankosova