Peleshi: Mbështetje fermerëve dhe nxitje të investimeve
Qeveria shqiptare premton skema në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve. Veç ndihmës financiare do të ndërtohen edhe qendra ku do të grumbullohen dhe shiten produktet bimore dhe ato shtazore.
Zv/kryeministri Niko Peleshi tha sot gjatë një takimi për inovacionin dhe teknologjinë në bujqësi, se bashkëpunimi dhe dialogu i vazhdueshëm i fermerëve me qeverinë është shumë i rëndësishëm për të përballuar sfidat që ka ky sektor. Sipas Peleshit, qeveria shqiptare është e vendosur të zgjerojë hartën e produkteve në bashkëpunim edhe me Kosovën, të nxisë investimet vendase dhe të huaja në bujqësi si dhe të diversifikojë ekonominë rurale përmes mbështetjes me mikrokredi.
Ndërsa ministri i Bujqësisë garantoi se qendrat e reja ku do të grumbullohen prodhimet bujqësore do të garantojnë shitje të produkteve, këshillim të fermerëve, si dhe do të ndihmojnë shtetin të formalizojë bujqësinë.