Peleshi: Situata në kaskadën e Drinit është mirëmenaxhuar
Pas Kallmetit në Lezhë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, zbriti në Obot të Shkodrës për të shikuar vetë situatën në terren. Peleshi tha se aty nuk ka tërheqje të ujërave, por ka një ulje të lehtë të nivelit. E rëndësishme për Peleshin mbetet që të mos përmbytet fusha e Bushatit. Sipas tij, situata në kaskadën e Drinit është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Kam marrë një informacion që në Obot sa i përket sipërfaqes, nuk kemi tërheqje të ujërave se e tillë është natyra, por është pozitive se kemi një ulje të lehtë të nivelit, disa centimetra dhe erërat po e çojnë ujin drejt detit. Kemi një pozitivitet sa i përket reshjeve, nuk ka reshje në të gjithë vendin. Këtu do të shkojë disi më ngadalë drejt përmirësimit. E rëndësishme është të mos kemi përmbytje në Shkodër në fushën e Bushatit dhe gjasat janë që do ta arrijmë ta evitojmë se pavarësisht se reshjet do të shtohen po bëhet një menaxhim shumë i mirë i kaskadës. Fierza po punon me porta të mbyllura dhe ka akoma 10 metra rezervë për t’u mbushur. Nuk besoj se do të arrijmë në pika kritike deri në datën 11 kur do të jetë intensiteti maksimal i reshjeve. Edhe në Vaun e Dejës ka shkarkime normale. Shpresojmë që nuk do të keqësohet më shumë se kaq situata. Kjo është sa i takon shpresës. Sa na takon ne, jemi në gatishmëri”.
Sa i përket kaskadës, Peleshi tregoi edhe disa shifra, ndërsa nuk ngurroi që të thumbojë qeverisjen e shkuar për shkak të përmbytjeve.
“Janë marrë të gjitha masat dhe shpresoj se do të menaxhohet shumë mirë. Kemi rezultate të mira krahasuar me vitet e kaluara për të njëjtin sasi prurjesh. Nëse dëshironi një shifër, ditën e djeshme prurjet në Hidrocentrale kanë qenë rreth 4200 metra kub në sekond dhe kemi situatën që të gjithë e shihni ndërkohë që para 10 vjetësh është përmbytur e gjithë Shkodra për prurje pothuajse sa gjysma e këtyre prurjeve, rreth 2500 metra kub kanë qenë prurjet kur është përmbytur gjithë Bushati, pjesa e Nënshkodrës”. /tvklan.al