Pëllumb Xhufi, intervistë (29 Gusht 1999)
Intervistë me Zëvëndës Ministrin e Jashtëm Pëllumb Xhufi.
Pëllumb Xhufi: Ne po punojmë që të ketë një përafrim të detyrimeve që paguajnë qytetarët shqiptarë me ato që paguajnë qytetaret e huaj kur hyjnë në vendin tonë. Gjithsesi në bazë të parimit të reciprocitetit, sipas rastit, sipas vendit konkret.
Gazetarja: Do të ketë ndryshim të këtyre tarifave?
Pëllumb Xhufi: Po. Mendohet që do ketë ndryshim të ketyre tarifave.
Gazetarja: Ndërkohë Kryeministri Majko ka kërkuar nga Ambasadorët të punojnë më shumë për ta arritur lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. A do të realizohet kjo dhe si mendon Ministria e Jashtme se mund të realizohet?
Pëllumb Xhufi: Kjo është një nga kërkesat që Qeveria Shqiptare ka dhe që e vendos atë në vijën e parë të ideve të reja, të praktikave të reja që ne duam të vendosim në Rajonin tonë, domethënë të krijimit të kushteve për qarkullimin e lirë të mallrave, të njerëzve, të ideve. Dhe në këtë aspekt edhe krijimi i kushteve për heqjen e vizave midis qytetarëve të vendeve të ndryshme të Rajonit tonë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt integrimeve rajonale të cilat janë shumë të rëndësishme pastaj edhe në perspektivën e integrimit europian të vendeve të rajonit. Ne me krenari mund ta themi jemi ndër vendet që insistojmë më shumë për këtë pikë që tu krijohet kjo mundësi njerëzve, qytetarëve të Ballkanit që të japin, të marrin me njëri -tjetrin, të qarkullojnë lirisht dhe do të vazhdojmë të
insistojmë në këtë pikë.
Gazetarja: Mendoni se mund të arrihet shpejt?
Pëllumb Xhufi: Po ndoshta kështu në mënyrë të mos harrojmë që tani ne kemi një kuadër edhe të përgjithshëm që është pakti i stabilitetit. Në këtë kuadër ne kemi insistuar që kjo pikë të futet në rendin e ditës kur të vijë puna që do të diskutohet në tryezën rajonale dhe në tryezat e punës dhe mendojmë që pakti i stabilitetit që ka pikërisht këtë filozofi për të krijuar
një zonë të sigurisë, të demokracisë, të prosperitetit në rajonin tonë do ta ketë parasysh edhe këtë pikë./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego