Për herë të parë te “Trauma” ndërhyrja laparoskopike
Specialistët: Kjo metodë ofron shumë avantazhe për pacientët
Për herë të parë ekipi i mjekëve kirurgë në Spitalin e Traumës kanë kryer ndërhyrje delikate me laparoskopi.
Kirurgia e përgjithshme pranë këtij spitali, dr. Valmira Abilaliaj, shprehet se prej pak kohësh janë zgjeruar ndërhyrjet laparoskopike, kryesisht për problemet malinje.
“Për më shumë se një vit, në spitalin tonë kemi filluar të zgjerojmë gamën e operimeve për sa i përket ndërhyrjeve laparoskopike digjestive abdominale. Kjo edhe falë disponibilitetit të teknologjisë që kemi pasur në këto dy vitet e fundit. Ne jemi munduar ta zgjerojmë këtë edhe në sëmundjet malinje, si tumoret e rektumit apo të zorrës së trashë, kolektomia e majtë apo e djathtë”.
Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin e Traumës, dr.Dritan Çela shprehet se kjo metodë ndërhyrjeje ka mjaft avantazhe dhe pacienti rikuperohet në kohë të shkurtër.
“Avantazhet e kirurgjisë laparoskopike për pacientin padyshim që janë shumë të mëdha, rehabilitim i shpejtë, rikuperim në kohë rekord dhe kohët e fudit kemi filluar të zhvillojmë kirurgjinë e madhe laparoskopike. Gjatë muajit të fundit kemi bërë lloje të ndryshme kanceri dhe korrigjime”.
Me anë të aparaturave bashkëkohore, në Spitalin Universitar të Traumës, çdo ditë e më tepër po realizohen operacione të vështira që deri më tani kryheshin vetëm jashtë vendit.
Klan News