Për pushime duhet t’i biesh nga Shkupi


Për pushime duhet t’i biesh nga Shkupi

15:05 10/07/2017 https://youtu.be/D_EYlw5BjK4

Shqipëria është një nga vendet e vetme në rajon që nuk ofron paketa turistike për në Europë, ku nisjet për pushime të bëhen nga aeroporti i Rinasit.

Vetë operatorët turistikë pranojnë se destinacionet që ka aeroporti Nënë Tereza janë shumë të rralla dhe pa linja direkte, ndërsa në Shkup gjen bileta me çmime shumë të lira, të cilat ofrojnë edhe qytete që nëse nisesh nga Tirana, duhet të kalohen me disa tranzite. Besnik Vathi drejton një agjenci turistike dhe thotë se shumica e paketave me nisjet që janë nga Tirana , përjashto Turqinë, bëhen me autobus ose traget.

Agjencitë që operojnë me udhëtime jashtë Shqipërisë thonë se lufta me Aeroportin e Rinasit është e humbur për shkak të tarifave të larta që koncesionari ka vendosur mbi kompanitë e fluturimit. Kjo ka bërë që edhe futja e linjave loë cost të mos e ndryshojë aspak çmimin e biletave.

Për udhëtime në shumë destinacione të Italisë, Spanjës dhe Francës, të cilat janë pikat më të dashura për pushuesit që kërkojnë Europën, biletat nga Shkupi nuk e kalojnë vlerën 50 euro. Në Shqipëri çmimi është disafish më i lartë. Në Jug të Francës një biletë fillon nga 330 euro, ndërsa për në Barcelonë, nëse kërkon të udhëtosh në muajin gusht biletat nisin nga 400 euro e deri në vlera marramendëse si 600 apo 700 euro.

TV KLAN






Të ngjashme