Përdori dezinfektant për t’u mbrojtur nga Covid-19, gruaja pëson djegie të rënda në trup
Kate Wise një nënë nga Teksasi në SHBA, ka pësuar djegie të rënda në trup pasi kishte pastruar duart me dezinfektant.
Pasi kishte vendosur fëmijët e saj në shtrat për të fjetur, ajo ndezi një qiri dhe flakët u përhapën në krahun e saj. Nga frika dhe paniku, ajo u përplas me një shishe alkooli dhe flaka u përhap në të gjithë trupin.
Mes frikës, dhimbjes dhe dëshpërimit, ajo arriti të hiqte rrobat e saj të djegura dhe të nxirrte vajzën me aftësi të kufizuara nga shtëpia.
Ndërkohë, njëra nga vajzat e saj i kërkoi ndihmë fqinjëve të njoftonin shërbimin e urgjencës. Kate qëndroi në kujdes intesiv disa ditë, ku po merrte trajtime për djegiet e shkallës së dytë dhe të tretë në të gjithë trupin.
Ajo pretendon se zjarri u ndez pasi përdori dezinfektantin, të cilin ajo e kishte blerë për të mbrojtur veten dhe vajzat nga koronavirusi. Megjithatë, shkaku i zjarrit mbetet nën hetim.
Tani Kate po paralajmëron të tjerët për rreziqet që ka përdorimi i xhelave të duarve që kanë përmbajtje alkooli.
Për një emision televiziv, ajo u shpreh se në fillim, flaka u përhap vetëm në vendet ku kishte aplikuar xhelin e duarve e më pas u përhap në të gjithë trupin.
Ekspertët kanë paralajmëruar që pastruesit e duarve, shumë prej të cilëve përmbajnë alkool, mund të jenë të ndezshëm. Shishet e pastruesve të duarve, zakonisht kanë një paralajmërim që thotë ta mbani produktin larg flakëve ose zjarrit. /tvklan.al