Përdorimi i dhunës në protesta, çfarë mendojnë politikanët shqiptarë (13 Nëntor 2000)
Përdorimi i gurëve, shashkave dhe mjeteve të tjera gjatë protestave të demokratëve përballë qelisë së qeverisë dhe Ministrisë së Rendit e kanë nxitur këtë të fundit të hartojë një strategji të re në përballimin e kësaj situate. Megjithatë në ambjentet politike ka mendime krejt të ndryshme për reagimin ndaj protestuesve. Për Televizionin Klan janë prononcuar socialisti Malaj, demokrati Gjana dhe legalisti Ngjela.
“Unë mendoj se qytetarët e Tiranës në historikun e zhvillimeve demokratike në Shqipëri është hera e dytë që e shohin një pjesë të PD-së të përdorë gurët. Me gurë janë goditur demonstruesit e opozitës gjatë kohës së PD ishte në pushtet, me gurë po godet PD intitucionet kur është në opozitë. Unë mendoj se është metaliteti politik i asaj pjese që shoqëron Sali Berishën në mitingjet e përnatshme që sjellin tension, sjellin imazhe negative për vendin dhe mbi të gjitha vonojnë efektet që njerëzit presin për të ndryshuar jetën e tyre dhe mirëqënien e tyre. Mendoj se është e domosdoshme që opinioni shqiptar të njohë mirë dhe të ndejë dhe pasojat e njerëzve që dinë të përdorin vetëm gurin në politikë. “
“Nuk është PD ajo që e nxit konfrontinim e dhunës, por është policia ajo që përpiqet të stimulojë përdorimin e dhunës. Fakti që futen çdo natë 100 veta në birucat e komisariateve dhe rrinë dhe i shohin të nesërmen, sigurisht që krijohen pastaj kontigjente që mund të përplasen.”
“Revoltat bëhen për vota. Unë mendoj se kanë të drejtë. Kanë dokumentacion të plotë për manipulimin e votës dhe ta do të bëjnë revolta. Nëse ti nuk i merr parasysh si arbitër se cilat janë parregullsitë e këtij votimi dhe me mendjemadhësi pretendon se unë nuk të pyes, atëherë natyrisht që do të ketë revolta.”/tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame