Përfaqësuesi në NATO, Presidenti refuzon Zaimin


Përfaqësuesi në NATO, Presidenti refuzon Zaimin

15:35 22/04/2014 ZAIMIPresidenti i Republikës Bujar Nishani, refuzon kandidaturën e Arjan Zaimit si Shef i Zyrës së Përfaqësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas burimeve zyrtare brenda Presidencës, kreu i shtetit nuk e ka gjetur kandidaturën e Zaimit në përputhje me standardet që kërkon Presidenti për Shefin e Zyrës së Përfaqësimit të Shqipërisë në NATO. Gjithashtu, në motivacionin e tij për të mos aprovuar kandidatin e ministres Kodheli, Presidenti ka patur para sysh edhe përdorimin e gradave në kundërshtim me ligjin, nga Arjan Zaimi. Fakt i ngjashëm ky për të cilin u akuzua dhe vetë ish-kreu i misionit ushtarak në NATO, Admiral Kristaq Gerveni nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila madje kërkoi shkarkimin e tij dhe kthimin e menjëhershëm në atdhe.

Zaimi, një gjeneral në pension, ka përdorur uniformën ushtarake të gjeneralit, në të paktën dy ceremoni publike. E fundit ishte ajo për 5-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në NATO. Pavarësisht se me dekret të Presidentit, ai ka dalë në lirim para disa viteve, Arjan Zaimi, aktualisht është Këshilltar Ushtarak i ministres së Mbrojtjes. Ai ka shërbyer edhe më parë, për gati 10 vjet si Shef i Misionit Ushtarak në NATO.

tvKlan





Të ngjashme