Zjarr në spitalin e Durrësit
Evakuohen 100 pacientë, 5 nisen drejt Tiranës
24 minuta pas mesnatës, spitali i Durrësit është përfshirë nga një zjarr. Në panik nga tymi, stafi mjekësor ka nisur menjëherë evakuimin e 100 pacientëve nga shkallët e emergjencës.
Për pasojë, gjysma e spitalit doli jashtë funksionit. Pacientët janë sistemuar në pavijonet që nuk u përfshinë nga tymi, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë.
Ende nuk ka një bilanc të plotë të dëmeve. Drejtoresha e spitalit Nadire Jani thotë se dy katet e godinës 4-katëshe do të vihen në funksion shumë shpejt, ndërsa për dy katet e tjera do të duhen disa ditë.
“Patjetër mund të hyjnë që sot në drekë në gjysmën e parë të spitalit. Pjesa tjetër do rregullohet paneli elektrik dhe do t’i fusim”, tha ajo.
Godina e cila u përfshirë nga flakët dhe tymi është marrë nën ruajtje nga policia. Për shkak të hetimit, ata kanë bllokuar godinën katër katëshe, dy katet e të cilës janë dëmtuar dhe mbeten pa energji. Nga veprimet e para hetimore mendohet se shkak është bërë një shkëndije elektrike në njërën prej pavijoneve.
Tv Klan