Përfundojnë në pranga grabitësit e 50 mijë dollarëve (13 Qershor 2000)
Kanë dashur të mashtrojnë policinë për të përfituar 50 mijë dollarë dhe kanë përfunduar në pranga. Në orën 13:00 të mesditës së djeshme, ekonomisti Blendi Furxhi i firmës “Alb de kros”, ka denoncuar se pasi ka tërhequr në filialin e Bankës së Kursimit 50 mijë dollarë të firmës së tij, në makinë i është futur një person me armë për t’a plaçkitur. Sipas Furxhi, personi me armë mbante syze të zeza dhe mjekër.
Pranë 9 katëshve , personi i armatosur më ka marrë paratë dhe është larguar me një benz pa targa ka denoncuar ekonomisti. Pas kësaj inspektorë të Komisariatit 3 me shef Nikollë Vatnikën, kanë filluar kërkimet për të gjetur personin me syze së bashku me 50 mijë dollarët.
Por shumë shpejt është zbardhur se ekonomisti nuk është plaçkitur me armë, por në bashkëpunim me Ardian Jorgjin, punonjës në Shërbimin Informativ Shtetëror, i kanë fshehur dollarët dhe më pas kanë bërë një denoncim për një grabitje me armë që nuk ka ndodhur. Punonjësi i Shërbimit Informativ është kapur mbrëmë vonë në shtëpinë e tij ndërkohë që si provë Komisariati 3 ka një bisedë telefonike mes dy personave për dollarët e vjedhura.
Pasi është kapur Ardian Jorgji, janë gjetur dhe 50 mijë dollarët e fshehura. Sot në Komisariatin 3 është përgatitur dosja për t’i kaluar Prokurorisë sëbashku me 50 mijë dollarët. Pas formulimit të procesverbaleve, paratë do t’i kthehen përsëri firmës franceze, ndërsa dy personat e arrestuar priten të dalin në gjykatë për të marrë masën e arrestit./tvklan.al