Përfundon java e 8 e kampionatit kombëtar të futbollit – (11 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
U luajtën takimet e javës së 8-të të kampionatit kombëtar të futbollit, ku skuadra kampione Tirana, pas fitores së arritur sot në stadiumin “Selman Stërmasi”, 1-0 ndaj Tomorit, shkëputet më tepër nga ndjekësit e saj. Golin e vetëm për kryeqytetasit, e shënoi si zakonisht Indrit Fortuzi, që kryeson me 16 gola në listën e shënuesve më të mirë.
Për këtë javë duhet veçuar fakti, që Teuta e Durrësit arrin një fitore të madhe 2-1 brenda në Gjirokastër ndaj Shqiponjës tepër të fortë në këtë edicion. Skuadra e Hasan Likës përveç fitores së rëndësishme ngjitet edhe disa shkallë në renditje, duke iu afruar kreut. Një tjetër fitore spikatëse, ishte ajo që arriti Besa ndaj Skënderbeut, duke pasur si drejtues Ramadan Shehun.
Vllaznia mund Dinamon 2-0 në Shkodër dhe Shkumbini-Flamurtari 1-1 në Peqin. Rezultat të barabartë dha edhe përfundimi i ndeshjes Lushnja-Bylis 2-2, ku vendasit të pakënaqur nga gjykimi e kanë mbajtur të mbyllur në stadium gjyqtarin Bujar Pregja. Apolonia ka mundur Besëlidhjen 3-1, duke pasur në formacionin e saj për herë të parë dy futbollistët bullgarë. Pas javës së 8, kryeson Tirana./tvklan.al