Përfundon konferenca e partive të majta Europiane – (2 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Ka përfunduar sot Konferenca mbi Reformat Demokratike në Europën Juglindore, si dhe mbi rolin e partive të majta në këtë proces. Në seancën e sotme është diskutuar rreth situatës aktuale në Kosovë, dhe rolit të partive politike në proceset demokratike atje.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Europiane, ka shprehur keqardhjen e tij që partia e Thaçit dhe e Rugovës, nuk u përfaqësuan në këtë takim megjithëse ishin të ftuar. Zëvendës presidenti i Partisë Socialiste Europiane, përsa i përket Kosovës, ka nënvizuar se nuk është e lehtë që partitë politike atje të bëjnë jetë politike, ndërsa është shprehur i bindur se komuniteti ndërkombëtar, do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për të realizuar zgjedhje të lira në vjeshtën e këtij viti.
Partia Socialiste Europiane ka lënë si detyrë shtëpie për të gjitha partitë pjesëmarrëse, që brenda gjashtë muajve, të konkretizojnë atë që u tha në këtë konferencë. Në përfundim, një nga drejtuesit e tryezës së sotme, përfaqësues i PS Europiane, sipas axhendës i ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit në një ekskursion drejt qytetit bregdetar të Durrësit./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari