Pa rezultat samiti i BE për emigrantet
Propozime të shumta, por asnjë zgjidhje e qartë. Ky ishte rezultati i mini-samitit të 16 liderëve europianë për çështjen e emigrantëve të jashtëligjshëm, zhvilluar të dielën në Bruksel.
Në tryezën e diskutimeve u hodh plani për ngritjen e pikave të pritjes dhe përzgjedhjes së emigrantëve, jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Austria propozon Ballkanin si vendqëndrim, ndërsa Italia Afrikën Veriore. Kryeministri italian kërkon forcimin e kufijve europianë dhe propozon që procedurat e azilit të mos ndiqen në vendin e parë ku refugjatët shkelin, por ata ta përzgjedhin vetë shtetin ku duan të qëndrojnë. Në këtë pikë mori edhe mbështetjen e Greqisë e Spanjës, vende të konsideruara si porta hyrëse e emigrantëve në Bashkimin Europian dhe që mbajnë barrën më të madhe. Kryeministri grek Cipras kërkoi të ketë ndarje të përgjegjësive, por për kancelaren gjermane Angela Merkel, përzgjedhja nuk mund të lihet në dorë të refugjatëve.
Sëbashku me presidentin francez, ajo është për variantin e shpërndarjes me kuota të refugjatëve dhe dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve ekonomikë. Për uljen e flukseve ilegale, shefja e qeverisë së Berlinit kërkon më tepër bashkëpunim me vendet e origjinës si Libia.
I vetmi vendim i marrë ishte ai për çlirimin e fondeve për vendet që strehojnë refugjatë, 3 miliardë Euro për Turqinë dhe 500 milionë për Libinë. Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk propozoi që të hartohen plane konkrete zgjidhjeje për tu diskutuar në samitin e të enjtes.
Tv Klan