Përfundon rikonstruksioni i Ministrisë së Bujqësisë – (1 Shtator 2000)


Përfundon rikonstruksioni i Ministrisë së Bujqësisë – (1 Shtator 2000)

11:30 01/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Përfundoi rikonstruksioni i Ministrisë së Bujqësisë. Mbrëmë vonë, pak para mesnatës, punëtorët e projektit “Kthim në identitet”, kanë mbledhur skelat dhe mjetet e tjera të punës dhe kanë zbuluar pamjen tashmë të tjetërsuar të Ministrisë së Bujqësisë. Pas Ministrisë së Privatizimit dhe Ekonomisë, ministria e Xhuvelit, shënon një hap më shumë në projektin “Kthim në identitet”.

Ministri i Kulturës Edi Rama, i cili është shoqëruar edhe për pak kohë, nga ministri Fino, mbrëmë teksa punëtorët hiqnin mjetet e punës për TV Klan tha:

Edi Rama, Ministri i Kulturës:- “Siç e shikoni gjithçka vazhdon normalisht dhe përditë projekti merr trajtë, merr fizionomi dhe natyrisht bën dhe përgënjeshtrimin më të mirë të të gjithë atyre fjalëve të tepërta, që u thanë lidhur me këtë projekt. Kjo është meritë e një pune jashtëzakonisht serioze, të Institutit të Monumentit të Kulturës dhe të kompanisë e cila po punon ngushtësisht me këtë institut. Unë jam shumë i kënaqur që ne jemi në afat dhe që edhe njëherë tjetër do të mbajmë fjalën përpara njerëzve, për ta mbyllur fazën e parë të këtij projekti në afatin e premtuar”.

Gazetari:- Radha e Bashkisë së Tiranës kur do t’i vijë?

Edi Rama, Ministri i Kulturës:- “Normalisht sipas parashikimit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Rendit, i përkasin pjesës së dytë të fazës së parë dhe do të fillojnë menjëherë pas mbarimit të kësaj pjese. Unë mendoj që brenda pak kohe dhe kur të jetë festa e madhe e Vitit të Ri, qytetarët do të kenë mundësi të gëzojnë në një qendër historike krejtësisht të ndryshuar dhe krejtësisht evropiane”.

Edhe kryeministri Meta nuk i ka rezistuar dëshirës për të parë ministrinë tashmë të tjetërsuar, ndërsa mbrëmë në këmbë po ecte në bulevard. E lyer, e pastruar, e rikonstruktuar dhe me një pamje të lakmueshme, Ministria e Bujqësisë, ka shtuar bukuri dhe hijeshinë e bulevardit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme