Përfundon votimi, Mali i Zi vendos mes Perëndimit dhe Rusisë


Përfundon votimi, Mali i Zi vendos mes Perëndimit dhe Rusisë

21:31 16/10/2016

Mali i Zi ka votuar në zgjedhjet parlamentare që përcaktojnë nëse shteti i vogël Ballkanik do të vazhdojë rrugën e tij Perëndimore apo do të kthehet tek aleati tradicional Rusia.

Vendvotimet u mbyllën në ora 20:00 dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe organizatat joqeveritare, që i vëzhguan ato, thanë se pjesëmarrja ishte më e larta e shënuar.

Mali i Zi organizoi zgjedhjet e katërta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë së vendit, dhjetë vjet më parë.

Komisioni Zgjedhor tha se rreth 530 mijë malazezë me të drejtë vote kanë patur mundësi të votojnë për 17 lista zgjedhore me 34 parti politike.

Partia Demokratike e Socialistëve, e kryeministrit aktual Milo Gjukanoviç, është përballur me grupet opozitare pro-ruse dhe pro-serbe të cilat fuqishëm kundërshtojnë politikat pro-perëndimore të qeverisë dhe posaçërisht anëtarësimin në NATO.

Kryeministri pro-perëndimor, Milo Gjukanoviç, që ka udhëhequr me shtetin si president por dhe si kryeministër për më shumë se 25 vjet, po përballet me sfidën e tij më të madhe politike.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se fati i shtetit do të vendoset…. nëse Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së dhe NATO-s apo do të bëhet koloni ruse”, ka thënë Gjukanoviç, në një tubim zgjedhor më 14 tetor.

Rezultati mund të rrezikojë politikat e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së në Evropën Juglindore dhe mund të jetë vendimtar në përpjekjet e Kremlinit të rifitojë ndikimin në rajonin strategjik të Ballkanit, shkruan Reuters.

Aleanca perëndimore e ftoi, vitin e kaluar, vendin e vogël prej 620 mijë qytetarësh që t’i bashkohet pjesërisht për shkak të shqetësimeve për ndikimin rus në Mal të Zi, që ka lidhje të forta kulturore dhe komerciale me aleatin e tij Ortodoks.

Fronti Demokratik, një grup opozitar pro-rus ka organizuar protesta kundër anëtarësimit në NATO.

Strahinja Bulajiç, një zyrtar i kësaj partie, i ka thënë AFP-së se nëse partia e tij fiton atëherë “ne do të heqim sanksionet kundër Rusisë dhe do të krijojmë marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe politike me Moskën”.

/Radio Evropa e Lirë






Të ngjashme