Përgatitjet e fundit për festivalin operistik “Marie Kraja” – (4 Prill 2001)


Përgatitjet e fundit për festivalin operistik “Marie Kraja” – (4 Prill 2001)

17:49 04/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në mbrëmjen e ditës së nesërme në Teatrin e Operës dhe Baletit, starton edicioni i 3-të i festivalit ndërkombëtar të vokalit operistik Marie Kraja. Ideatore dhe organizatore e këtij festivali është zonja Zana Çela, drejtoreshë e këtij teatri. E veçanta e këtij edicioni, ka thënë zonja Çela është se kësaj here interesimi i të huajve për të marrë pjesë në konkurrim, ka qenë shumë i madh. Sipas saj, ata kanë ardhur nga të katër kontinentet.

Kështu në konkurrim, në netët e këtij festivali do të jenë 21 këngëtarë lirik, 10 të huaj dhe 11 shqiptarë. Nga Italia ka mbërritur gjithashtu për këtë festival edhe dirigjenti i mirënjohur Ermir Krantja, i cili së bashku me Edmond Dokën do të jenë dirigjentët e këtij festivali.

Juria e festivalit do të përbëhet nga personalitete të huaj e shqiptarë. Ajo do të ketë 11 anëtarë dhe kryetarja e saj do të jetë zonja Klaudia Eder, një soprano e njohur gjermane. Fituesi i çmimit të parë, do të marrë një shumë prej pesë mijë dollarësh amerikanë, vendi i dytë katër mijë dhe vendi i tretë tre mijë dollarë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora  






Të ngjashme