Përgatitjet e fundit për spektaklin “Maratona e Këngës Popullore” – (20 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Fillon spektakli i madh i këngës popullore në TV Klan. Pas një pune të gjatë disa mujore, në studion e spektakleve, po bëhen përgatitjet dhe provat e fundit të Maratonës së Këngës Popullore, e cila duke nisur që nga e hëna do të jetë për 15 javë rresht në ekranet tona, për t’u mbyllur në javën e 16 të tij me mbrëmjen e madhe të çmimeve, ku këngëtarit fitues do t’i jepen pesë mijë dollarë, çmimit të dytë tre mijë dollarë, ndërsa fituesi i çmimit të tretë do të ketë një premio prej dy mijë dollarësh.
Çdo ditë të hënë në orën 20:30 ju do të ndiqni nëpërmjet ekranit tonë, emrat më të njohur të këngës popullore shqiptare, të përzgjedhur nga konkurrimi i 140 këngëtarëve nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare përtej kufirit. Visaret dhe fondet e muzikës popullore nga jugu në veri do të jenë çdo javë tek ju nëpërmjet spektaklit “Maratona e Këngës Popullore”, i cili mban firmën e regjisorit Bledi Laço.
Mes emrave të konkurruesve të javës së parë janë edhe Selami Kolonja, Laxarela, grupi “Për mbi Tepelenë” etj. Spektakli “Maratona e Këngës Popullore” është i ndërthurur dhe me numra baleti, të ftuar të ndryshëm, si dhe me lotarinë Porta e Fatit. Por të gjitha surprizat e këtij spektakli, të kësaj feste të madhe të këngës popullore shqiptare, ju ftojmë t’i zbuloni të hënën në orën 20:30 në ekranin e TV Klan./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori