Përgjaken sërish rrugët e vendit, 1 i vdekur dhe 6 të plagosur në dy aksidente
Një grua humbi jetën dhe 5 të tjerë u plagosën në një aksident në autostradë në afërsi të tregut të Milotit.
Dy autovetura janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 70- vjeçares Ganie Fida, pasagjere në automjetin tip “Nissan” që drejtohej nga shetasi D.F.
Sipas policisë mjeti tip Nissan është përplasur në orët e para të mëngjesit me mjetin tip Opel me targa të Kosovës që drejtohej nga shtetasi me incialet A.C.
5 personat përfshirë edhe drejtuesit e mjetit që gjendeshin në dy makinat kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Universitar të Traumës në kryeqytet.
Sipas policisë shkak për aksidentin dyshohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara të mjetit Opel dhe parakalimi i gabuar.
Mësohet se udhëtarët nga Kosova po shkonin drejt bregdetit të Shëngjinit për pushime.
Më herët një aksident automobilistik ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në afërsi të Urës së Lizës. Një automjet tip Ford ka përplasur një person që po udhëtonte me biçikletë, por pa rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit.
Tv Klan