Përgjaket Stambolli në ndërrimin e viteve

Autori i masakrës në hyrje të klubit

Përgjaket Stambolli në ndërrimin e viteve

15:00 01/01/2017

Mbrëmja e ndërrimit të viteve është përgjakur dhunshëm në Stamboll. Të paktën 39 persona janë vrarë, 15 nga të cilët ishin turistë nga Izraeli, Belgjika, Jordania, Franca, Libani, Arabia Saudite e India. Të paktën 69 të tjerë mbetën të plagosur dhe 3 prej tyre në rrezik për jetën.

Një operacion i gjerë kërkimi ka nisur për autorin, sulmi i të cilit mbi viktimat e pafajshme është konsideruar si terrorist.

Sipas të dhënave, ai mendohet të ketë vepruar i vetëm.

Agresori ka qëlluar për vdekje një polic dhe një nga rojet e sigurisë para se të hynte në ambientet e klubit Reina, i cili ishte i mbushur me turistë dhe personazhe publike të Turqisë.

Ngjarja ka ndodhur pas orës 1 të mëngjesit të 1 Janarit, ndërsa më shumë se 700 persona ndodheshin në klubin e natës.

Autori ka përfituar nga situata kaotike për t'u larguar nga vendngjarja, duke lënë pas armën e krimit. Ndërkohë në një deklaratë gjatë orëve të pasdites, Kryeministri turk Binali Yildirim tha se autori nuk ishte veshur si Babagjysh, duke hedhur poshtë raportimet e mëparshme.

stamboll

Presidenti Erdogan e cilësoi sulmin si shumë mizor, ndërsa nënvizoi se atentati tregon që terrori nuk diskriminon por ka për qëllim të lëndojë dhe vrasë.

“Turqia është e vendosur për të bërë gjithçka që duhet për të mbrojtur sigurinë dhe paqen e qytetarëve të saj në rajon.”

Sulmi terrorist vjen 3 javë pasi 45 persona humbën jetën në një atentat kamikaz po në Stamboll. Ndërkohë që nuk dihet ende motivi i sulmit, dyshimet kanë rënë mbi Shtetin Islamik, anëtarët e të cilit kanë bërë thirrje për sulme ndaj Turqisë./tvklan.al





Të ngjashme